Ndërsa është e pamundur të vendoset demokracia në një vend pa pasur zgjedhje të vërteta, procesi demokratik shtrihet edhe më përtej Ditës së Zgjedhjeve. Qeverisja demokratike kërkon një qytetari aktive dhe të informuar. Shpesh, medias i referohemi si Pushteti i Katërt, gjë që tregon rolin e saj të rëndësishëm në një shoqëri. Në demokraci ne presim që media të veprojë si një mbikëqyrës i ngjarjeve dhe vendimeve, për të ndihmuar qytetarët që të jenë të informuar për atë çka ndodh. Por ky rol mund të përmbushet vetëm atëherë kur pasqyrimi mediatik të ndjekë parime dhe praktika thelbësore.
Në fazën e parë të monitorimit, kur ligji për median gjatë fushatës elektorale nuk kishte hyre në fuqi, një pjesë e mediave raportuan në mënyrë të njëanshme duke mbështetur dukshëm një parti. Kjo bën të mendojmë se edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, vec fushatës elektorale, mund të ndodhë ky raportim i deformuar për publikun. Kjo bën të domosdoshme nga shoqëria civile dhe aktorë të tjerë të demokracisë, monitorimin e vazhdueshëm dhe permanent të sjelljes së medias, dhe mënyrën e drejtë të përcjelljes së lajmit tek publiku.