Lajme

Watch Dog-Kontrolli i pasurisë së gjykatësve dhe prokurorëve
25.05.2023 , 17:33

Watch Dog-Kontrolli i pasurisë së gjykatësve dhe prokurorëve

Raporti i përgaditur nga “watch dog” në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë përfshin kontrollin e deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e sistemit të drejtësisë, konkretisht gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorëve. Po ashtu përfshin investigimin mbi pasuritë e këtyre zyrtarëve dhe konfliktin e interesit si dhe ka matur indikatorë të tjerë jashtë deklaratës së pasurisë. Të dhënat e mbledhura janë përpunuar duke dhënë përgjigje disa pyetjeve themelore përmes të cilave sigurohet edhe një rezultat rreth zbatimit të dy ligjeve.

Raporti i përgaditur nga “watch dog” në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë përfshin kontrollin e deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e sistemit të drejtësisë, konkretisht gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorëve. Po ashtu përfshin investigimin mbi pasuritë e këtyre zyrtarëve dhe konfliktin e interesit si dhe ka matur indikatorë të tjerë jashtë deklaratës së pasurisë.
Të dhënat e mbledhura janë përpunuar duke dhënë përgjigje disa pyetjeve themelore përmes të cilave sigurohet edhe një rezultat rreth zbatimit të dy ligjeve.

“Watch Dog”, në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informimin e Lirë, ka seleksionuar me zgjedhje të lirë rreth 5 për qind të zyrtarëve të drejtësisë dhe vetëm në katër raste është përdorur seleksionimi i përzgjedhur për shkak të detyrave që mbajnë zyrtarët.

Anëtarët e “Watch Dog” janë gazetarë, juristë, vlerësues pasurie dhe avokatë të çështjeve civile. Investigimi është zhvilluar përgjatë tetë muajve, duke filluar në prillin e 2008-s deri në fund të dhjetorit të 2008-s.

Projekti është mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë .

Metodika

Gjykatat dhe prokuroritë e vendit numërojnë 646 gjykatës dhe prokurorë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë në rrethe. 5 % e tyre kanë kaluar nën kontroll. Është zgjedhur një numër më i madh nga gjykatësit për shkak se edhe perceptimi për ta lidhur me shkallën e korrupsionit është më i madh krahasuar me organin e akuzës. Zgjedhja ka qënë e lirë duke përjashtuar pesë raste drejtuesish të institucioneve apo drejtorive të rëndësishme. 68 për qind e gjykatësve të kontrolluar punojnë në gjykatat e Tiranës ndërsa 32 për qind në gjykatat e rretheve. Prokurorët janë të gjithë të punësuar në Tiranë me përjashtim të një rasti.

Plotësimi i deklaratës së pasurisë:
Gabimet teknike janë më të vogla në rastet e gjykatësve 15%, ndërsa në rastin e prokurorëve 20%. Ndërkaq gabimet financiare rëndojnë tek gjykatësit në 36% të të kontrolluarve ndërsa për prokurorët 20 %.
Kontrolli i deklaratave dhe investigimi ka konstatuar në 3% të rasteve fshehje e pasurie dhe në 10 për qind të rasteve transferim pasurie në formën e huasë dhe dhuratës. Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara tek të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai, ose vëllai.
Vetëm në një rast konstatohet një konflikt i perceptuar interesi, ose në total në 3% të gjithë zyrtarëve të drejtësisë.

Ndërkaq është matur edhe gjendja imobilare: Kjo ndihmon që të perceptojmë situatën sociale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bazuar mbi deklaratat e tyre të pasurisë.
Shumica e zyrtarëve të drejtësisë jetojnë në një apartament, më pak kanë dy apartamente, si dhe më pak kanë vila. Nga grafiku i parë bie në sy që prokurorët janë edhe më të “rehatuarit” nga pikëpamja e banesave, ndërkaq gjyqtarët kanë më shumë biznese të cilat drejtohen nga burri ose gruaja që nuk janë gjykatës, ose janë rrjedhim i trashëgimisë.
Shpesh deklarimi i pasurisë së tyre është mjaft strikt: Një gjyqtar ka deklaruar aksione ndërsa një tjetër ka deklaruar kompensimin që merr nga shtetit për bukë, ndërkaq një tjetër ka deklaruar edhe një sasi të madhe eurosh të transferuara në llogarinë e tij e më pas të shkarkuara pasi i duheshin si garanci për një vizë.

Pwrfundimet
Që nga fillimi i zbatimit të ligjit për deklarimin e pasurisë formulari ka pësuar ndryshime, duke lehtësuar plotësimin e tij dhe të kuptuarit e kërkesave nga zyrtarët e detyruar ta plotësojnë. Me gjithë përmirësimet që i janë bërë formularit është e domosdoshme që ai të lehtësohet edhe më tej. Sa më i thjeshtë të bëhet ai, aq më lehtë plotësohet nga zyrtarët dhe aq më vështirë bëhet për këta të fundit të shmangin detyrimet e deklarimit. (Propozim i përsëritur edhe ne raportet e mëparshme).

Qendra për Transparencë konsideron vendimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive për zgjerimin e rrethit të familjarëve të zyrtarëve me detyrim deklarimin e pasurisë si një hap të mirë për të evidentuar rastet e përfitimit apo vënies së pasurisë nëpërmjet abuzimeve apo konfliktit të interesit. Në rastin e gjykatësve dhe prokurorëve numri i tyre me raste të transferimit të pasurisë është i konsiderueshëm. Bie në sy se transferime të tilla nuk kanë logjikë financiare dhe perceptohen si një ndryshim krejt formal marrëdhëniesh të pronësisë mbi pronën me qëllim fshehjen e tyre nga detyrimi për deklarim.
Vetëm tre gjykatës apo prokurorë kanë deklaruar shtëpi verore në bregdet ndërkohë që të dhënat e përgjithshme të marra nga kompanitë ndërtuese në zonat turistike flasin për një klientelë shumë të zgjeruar nga radhët e gjykatësve e prokurorëve. Pasuri të tilla ose janë informale dhe të paregjistruara në hipoteka ose janë transferuar te të afërmit e tyre.

Pasuria e gjykatësve është shpesh herë mbi mundësitë që iu jep pagesa mujore për shkak të detyrës që kryejnë.
Investigimi i udhëtimeve të tyre jashtë shtetit në tri vite tregon se edhe jeta e tyre e përditshme ka më cilësi se sa kushtet që mund t’u krijojnë të ardhurat e tyre të ligjshme.
Mesatarja e udhëtimeve nuk është shifër e jashtëzakonshme por investigimi rast pas rasti thekson raste të dukshme abuzimi.
Një zyrtar gjykate ka udhëtuar gati çdo dhjetë ditë jashtë përgjatë tre viteve.
Ndërkaq një zyrtar tjetër ka përdorur të paktën 19 herë linjat ajrore për udhëtim, qe me çmim minimal të biletës i bie të shpenzojë 40 për qind të rrogës së tij vjetore vetëm për bileta pa llogaritur shpenzimet e tjera.
Ata kanë udhëtuar me makinat  e tyre ne mbi 80 për qind të rasteve, në 15 për qind me avion dhe vetëm tri herë kanë përdorur autobusin në të gjitha rastet e investiguara.
Ndërkohë që sipas të dhënave mesatarisht vetëm një udhëtim në vit mund të jetë zyrtar dhe i paguar nga institucioni.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive duhet të shtojë numrin e gjykatësve dhe prokurorëve në listën e përvitshme të personave që kontrollohen. Kjo mund të behet e mundur duke ndryshuar mënyrën e hedhjes së shortit.

Ky është “Watch Dog” i tretë lidhur me verifikimin e pasurive të zyrtarëve, që kur ka filluar implementimi i ligjit të deklarimit të pasurisë në vitin 2003. Kontrolli është bërë mbi deklaratat progresive, pra për të gjitha deklaratat dhe ndryshimet e tyre përgjatë viteve 2003-2008 (për të gjithë ata që e kanë pasur këtë detyrim përgjatë katër viteve). Nga një analizë krahasuese mes tre raporteve konstatojmë se gjykatësit dhe prokurorët kanë rritur vlerësimin për momentin e deklarimit. Ka prej tyre me deklarime model dhe të besueshme. Disa prej gjykatësve që në deklaratat e viteve të para pothuajse nuk kishin deklaruar as rrogën, në deklarimin e fundit janë mjaft seriozë.

Puna e Inspektoratit të Lartë të Pasurive është e lavdërueshme. Ai ka kërkuar në disa raste procedimin nga prokuroria për shkelje të ligjit të deklarimit të pasurisë. Vazhdon mosdeklarimi i pasurive informale, mosdeklarimi i bilanceve për ata që kanë biznese private, ose kur këto të fundit deklarohen, referencat janë negative (vërejtje e bere ne te tre raportet).