Lajme

SONDAZHI/ Si e gjykojne veten gjyqtaret shqiptare
16.05.2013 , 17:03

SONDAZHI/ Si e gjykojne veten gjyqtaret shqiptare

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL)*1 në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në vijim të një projekti mbi reformat në sistemin e drejtësisë e vecanërisht ato në KLD ka realizuar një anketim me gjykatësit e shkallës së parë të gjyqësorit.

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL)*1 në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në vijim të një projekti mbi reformat në sistemin e drejtësisë e vecanërisht ato në KLD ka realizuar një anketim me gjykatësit e shkallës së parë të gjyqësorit. Anketimi u realizua në periudhën shkurt-mars të këtij viti. U përfshinë në anketim 60% e gjykatave të shkallës së parë në të gjithë vendin ose ndryshe nga 14 gjykata prej 23 që janë gjithsej. Në anketim morën pjesë 58 për qind e gjyqtarëve ose 177 të tillë prej 305 që janë gjithsej në gjykata e shkallës së parë ose 47 për qind nga 380 gjyqtarë që janë gjithsej në të dy shkallët e gjyqësorit. Rreth 35 për qind e gjykatësve të anketuar trajtojnë cështje penale, ndërsa 45 për qind zhvillojnë cështje civile. Pjesa tjetër, rreth 19 për qind të anketuarve nuk e gjejnë veten të ndarë mes dy gjykimeve. Rreth 60 për qind e gjykatësve janë meshkuj ndërsa 40 qind janë femra. Rreth 64 për qind e gjykatësve vijnë direkt nga fakulteti i Drejtësisë ndërsa pjesë tjetër vijnë nga Magjistratura.

Përzgjedhja përfshin gjykata nga të gjitha zonat dhe kategoritë e qyteteve, pra prej gjykatave të vogla dhe në deri tek ato të qyteteve të mëdha. Rreth 38 për qind e të anketuarve kanë pasur një histori promovimi ndërsa afro 62 për qind nuk kanë pasur raste promovimi.

Objektivi i anketimit ishte:
  • matja e impaktit të reformës në promovimin e gjyqtarëve ndërmarrë nga KLD përgjatë vitit 2011,
  • matja e perceptimit të gjyqësorit për vetë gjyqësorin dhe
  • matja e perceptimit të gjyqësorit për pushtetet dhe institucionet e tjera.

Qëllimi i anketimit ishte:

  • a. orientimi i reformës në gjyqësor në pajtim me nevojat e sistemit,
  • b. forcimi i besimit të qytetarëve dhe institucioneve te sistemi gjyqësor dhe gjyqtarët
  • c. pjesëmarrja e gjyqtarëve në debatin publik për reformën e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të
  • tjera.
Përfundime:
  • Gjyqtarët e njohin pjesërisht procedurën e sistemit të pikëzimit por njohin mirë kuadrin ligjor që lidhet me nevojën e zbatimit të tij.
  • Gjyqtarët kërkojnë ndryshime në formulën e sistemit të pikëzimit. Është i nevojshëm rishikimi i formulës pas një konsultimi të gjerë me një numër sa më të madh gjykatësish ose përfaqësues të tyre si shoqatat e gjyqtarëve.
  • Gjyqtarët janë shprehur në mazhorancë për mbajtjen e sistemit të gjykatave të karrierës.
  • Të anketuarit thonë në një numër të konsiderueshëm rastesh se kriteri i vjetërsisë në punë do të penalizonte nga promovimi gjyqtarët që kanë mbaruar magjistraturën, duke patur parasysh se ky kriter merr 100 pikë dhe magjistratët që punojnë në gjykatë janë në mazhorancë mes moshës 30-40 vjec.
  • Gjyqtarët janë kritikë ndaj sistemit të drejtësisë. Ata mendojnë në shifra të konsiderueshme se drejtësia është e korruptuar dhe ka mungesë integriteti.
  • Gjyqtarët janë joshur në mënyrë të konsiderueshme për të favorizuar një palë në procesin gjyqësor
  • Ndërhyrjet më të mëdha me qëllim ndikimin e vendimit të gjykatës vijnë nga avokatët dhe zyrtarë apo drejtues të pushtetit lokal. Në Tiranë kjo ndërhyrje është më e madhe nga deputetë dhe zyrtarë të lartë. Edhe pse e vogël shifra që paraqet ndërhyrjen e Presidencës është e konsiderueshme dhe mjaft e dëmshme për shkak të konfliktit të interesit dhe prodhimit të një përqindjeje edhe pse të vogël nga një grup mjaft i vogël zyrtarësh.
  • Gjyqtarët rendisin si shkaktar kryesorë të dështimit të proceseve apo zgjatjes së tyre mungesën e dëshmitarëve në gjyq dhe mungesën e avokatëve. Po ashtu një vend të konsiderueshëm zënë edhe arsyet që lidhen me boshllëqe ligjore.
  • Gjyqtarët mendojnë se niveli i gjykimit është më i mirë në shkallën e parë dhe më pas përkeqësohet në shkallën e dytë për të pësuar një ngritje të lehtë në gjykatën e Lartë.
  • Ndër institucionet e drejtësisë gjyqtarët kanë zgjedhur si më efektivin ministrinë e drejtësisë për të vazhduar më pas me KLD dhe në fund me Konferencën Gjyqësore.
  • Gjyqtarët vetë janë shpesh pre e korrupsionit në shërbimet pblike ku ata paguajnë.
  • Gjyqtarët vlerësojnë se shoqëria civile nuk i ka ndihmuar aspak.
  • Po ashtu ata vlerësojnë se media në jo pak raste përbën presion.
Propozime
  • Nevojitet një fushatë informimi për gjyqtarët lidhur me sistemin e ri të promovimit dhe vecmas të procedurave. Një kënd i vecantë në faqen e KLD-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatave si dhe raunde të informimit në gjykatat e ndryshme të vendit do të shërbenin për njohjen më të mirë të sistemit të pikëzimet etj.
  • Është i nevojshëm rishikimi i formulës pas një konsultimi të gjerë me një numër sa më të madh gjykatësish ose përfaqësues të tyre si shoqatat e gjyqtarëve.
  • Propozimet që vijnë nga gjyqtarët aktualisht kanë të bëjnë kryesisht me:
    • përfshirjen në sistemin e pikëzimit të cilësisë së gjykimit, volumin e punës së gjyqtarit ose sasia e gjykimeve, shpejtësia e gjykimit, lloji i cështjeve të trajtuar nga gjyqtarët, niveli i arysetimit të vendimit gjyqësor; mungesa e masave disiplinore. por ka edhe propozime të tjera më të rralla por që mund të përfshihen në debat si etika e gjyqtarëve, verifikimi i pasurisë personale, solemniteti në gjykim.
    • rregullimin e raporteve mes pikëve vecmas ato që i përkasin vjetërsisë në punë dhe punës akademike dhe shkencore. Propozimet janë si vijon; të ulet pikëzimi për shkak të vjetërsisë në punë për shkak se penalizon nga promovimi gjyqtarët me magjistraturë; veprimtaria shkencore të marrë më pak pikë për shkak se kjo lloj veprimtarie kërkon impenjim dhe rëndon mbi përkushtimin e gjyqtarit në punën e tij të përditshme;
  • Vendosja në eficencë e ndryshimeve mbi ligjin e avokatisë
  • Krijimi i një strukture e cila bën të mundur frekuentimin e dëshmitarëve në gjyqe.
  • Është e domdososhme të evidentohen rastet ku gjyqtarët mendojnë se ka boshllëqe ligjore për të rishikuar ligje të ndryshme.