Lajme

QTIL përshëndet reduktimin e tarifave gjyqësore
20.02.2023 , 17:35

QTIL përshëndet reduktimin e tarifave gjyqësore

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL) përshëndet vendimin e qeverisë për të reduktuar ndjeshëm taksat gjyqësore për qytetarët e të gjitha kategorive nëpërmjet ndryshimit të udhëzimit të përbashkët të ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë së Financave të marsit të vitit 2010

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL) përshëndet vendimin e qeverisë për të reduktuar ndjeshëm taksat gjyqësore për qytetarët e të gjitha kategorive nëpërmjet ndryshimit të udhëzimit të përbashkët të ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë së Financave të marsit të vitit 2010.

Udhëzimi i ri nr.5668, dt.20.11.2013 i dy ministrive ul një sërë tarifash dhe ndër të tjera taksën gjyqësore në rastin e padisë për shkaktim dëmi nga 3% e vlerës së padisë në 1% të vlerës së padisë ashtu sic edhe ishte në vitin 2002.

Ndërkohë janë ulur në masë të konsiderueshme një numër tarifash të cilat lehtësojnë edhe më tej ngarkesën financiare të qytetarëve që kanë nevojën e gjykatës si dhe lehtësojnë aksesin e tyre në gjykatë dhe shërbimet e saj.

Janë ulur tarifa për lëshimin e vërtetimit se personi nuk ka pengesë ligjore për pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit nga 400 lekë në 200 lekë; tarifa për lëshimin nga gjykata të çdo kopje vendimi e çdo dokumenti që kërkohet nga të interesuarit nga 800 lekë në 200 lekë ; tarifa për lëshimin e dëshmisë së gjendjes gjyqësore nga zyra e gjendjes gjyqësore nga 400 lekë në 200 lekë; tarifa për legalizimin e akteve të noterisë nga ministria e Drejtësisë nga 800 lekë në 200 lekë ; ajo për lëshimin e vërtetimit se ndaj shtetasit nuk është filluar çështje penale nga prokuroria nga 400 në 200 lekë, tarifa për lëshimin e vendimit të pushimit ose të vendimit të mosfillimit të çështjes penale nga prokuroria nga 800 lekë në 200 lekë; tarifa për lëshimin e vërtetimit nga gjykata se kërkuesi nuk është në proces gjyqësor nga 400 lekë në 200 lekë.

Po ashtu u ulën edhe tarifa të tjera për kërkesa që paraqiten në gjykatë si ajo për vërtetim fakti nga 800 lekë në 200 lekë; padi për zgjidhje martese nga 9000 në 3000 lekë; padi për pavlefshmëri të veprimeve juridike nga 12 000 lekë në 3000 lekë.

QTIL prej disa muajsh është përfshirë në përgaditjen e këtyre ndryshimeve dhe në lobimin pranë ministrisë së Drejtësisë për të siguruar akses më të lartë të qytetarëve në gjykata përmes uljes së tarifave gjyqësore. Përgjatë muajit shkurt 2013 ajo ka monitoruar gjyqin në Gjykatën Kushtetuese të inicuar nga gjykata e Pogradecit si dhe për disa muaj ka monitoruar cështjet me shkaktim dëmi në gjykatën e Tiranës. Në deklaratën për shtyp të datës 5 gusht 2013, QTIL ka theksuar dyshimet e saj të ndërtuara mbi gjetjet e monitorimit se tarifat që u vendosën nëpërmjet udhëzimit nr 991 të marsit 2010 kanë qënë të influencuara në mënyrë të padrejtë nga grupe biznesi.

QTIL me mbështetjen financiare të Ambasadës britanike në kuadër të projektit “Rritja e aksesit në drejtësi dhe përmirësimi i procedurave gjyqësore” ka dorëzuar në muajin gusht në ministrinë e drejtësisë një studim përmes të cilit argumentohet nevoja e reduktimit të shpejtë të këtyre tarifave, vecanërisht të tarifave në rastet e shkaktimit të dëmit.

Po ashtu përgjatë muavve maj dhe qershor janë kryer dy takime me ministrin e Drejtësisë, ku është trajtuar gjerësisht cështja e uljes së tarifave. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi atëherë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndryshimi i udhëzimit 991 është një domosdoshmëri. Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurat e ndryshimit të këtij udhëzimi që në verën e këtij viti.