Lezha

Patok, grykëderdhja e lumit Mat

Është një destinacion i fshehur përtej dunave të Lagunës, në një prej vendeve më të bukura në Shqipëri, destinacioni arrihet vetëm me varkë.

Është një destinacion i fshehur përtej dunave të Lagunës, në një prej vendeve më të bukura në Shqipëri, destinacioni arrihet vetëm me varkë. Sapo të arrini në Lagunën e Patokut zgjidhni të parkoni makinën tuaj tek restoranti Royal blu ku ka parkim të bollshëm. Afër tij janë të parkuara shumë varka dhe peshkatarët janë gjithmonë rrotull. Dikush nga restoranti do ju ndihmojë për të marrë një varkë bashkë më një drejtues që do t’ju çojë në një pikë peshkimi në afërsi të grykëderdhjes së Matit.

Por ndërkohë udhëtimi deri aty do të jetë ndër më mbresëlënësit. Pamja është e rrallë, me kanali uji, brigje të izoluara mbushur me barishte dhe shkurre ndërsa shpesh lundroni nën rrjetat e bilanceve apo zogjtë e shumtë ujorë që nga rosat deri tek pelikanët.

Këtu mund të ndiqni edhe një prej mënyrave më të vecanta të përdorimit të teknikës në kushtet kur nuk ka energji elektrike që të vëjë në punë çikrikët e rëndë të bilanceve të gjera ndonjëherë edhe më shumë se dhjetë metra.

Siç duket në video më sipër çikrikët lëvizin përmes motorëve të veturave. Vetura të vjetra janë sjellë aty me varka dhe janë stacionuar në ledhet e kënetës si dhe në anët e lumit Mat.

Veturat janë në gjendje për tu ndezur dhe për të vënë në lëvizje boshtet që mbanin dikur gomat e makinës. Në vend të gomës janë ndërlidhur kabllot apo litarët që lidhen me bilancin. Dhe ulja e ngritja e bilancit komandohet me motorin e makinës që lëviz boshtin e gomës. Kur ulet bilanci lëviz marshi që supozohet se shtyn makinën para, ndërsa kur bilanci ngrihet, makina vendoset në pozicionin ecje mprapa.

Harxhohet pak karburant por bilanci mund të lëvizë në shumë më tepër frekuenca se sa mund të bëhëj ulja e ngritja e tij në mënyrë manuale.

Ndërsa vendosni të peshkoni mund të bisedoni me peshkatarët vendas që janë shumë mikpritës dhe mund të provoni ndonjë gotë raki me ta.

Në këtë zonë mund të gjuhen të gjithë peshqit e Adriatikut që preferojnë edhe ujërat e ëmbla afër bregut si levreku, koca, çafërr, bishtzezë, spalc, barbun, karkalec, ngjalë etj.

Ndërsa pasi keni mbaruar peshkimin mund të shijoni në një nga restorantet e Lagunës peshk të freskët të zgarës, fruta deti të zgarës, bukë misri me shëllirë apo krem qumështi si dhe karkalecë të kuq krudo, ngjala të pjekura të rritiura në ujin që qarkullon poshtë tavolinës tuaj, të cilat më mirë shoqërohen me raki se sa me verë të bardhë.