Durrës

Grykëderdhja e lumit të Ishmit

Grykëderdhja e Ishmit është destinacioni më verior i peshkimit në qarkun e Durrësit. Ai ndodhet në përfundim të kepit të Rodonit dhe është edhe në kufi të qarkut të Lezhës prej ku nisin një sërë parqesh natyrore me laguna njëra pas tjetrës.

Grykëderdhja e Ishmit është destinacioni më verior i peshkimit në qarkun e Durrësit. Ai ndodhet në përfundim të kepit të Rodonit dhe është edhe në kufi të qarkut të Lezhës prej ku nisin një sërë parqesh natyrore me laguna njëra pas tjetrës.

Largësia nga Tirana është 44 km dhe përshkohet për 1orë e 27 minuta, ndërsa nga Rinasi është 24.8 km dhe përshkrohet me makinë për 45 minuta. Për të ardhur nga Tirana dhe Rinasi duhet të ndiqni rrugën e Vorës dhe të merrni majtas tek Ura e Bubqit në drejtim të Bubq dhe Ishëm.

Largësia nga Durrësi është 44.3 km dhe bëhet me makinë për 1 orë e 3 minuta duke ndjekur autostradën Durrës Tiranë dhe të kthehesh në nënkalimin e Maminasit në drejtim të Manzës dhe më pas mban drejtimin për Ishëm kur arrin në fshati Shkafanë ku ndahet rruga për Gjirin e Lalzit me atë për në Ishëm.

Kjo rrugë që të drejton për në Ishëm nuk të con në breg të detit por përmes shtigjesh mund të afrohesh atje.

Ndërsa kur nisesh nga Tirana apo Rinasi rruga të shpie deri në breg, por sapo kalon fshatin Muzhaq rruga është e pasfaltuar dhe e pa mirëmbajtur. Sa më thellë futesh në pyll aq më e vështirë bëhet rruga ndërsa vende vende ka pellgje dhe baltë që rrezikojnë të mos kalohen me makinë.

Kjo rrugë mund të bëhet vetëm kur është toka e tharë. Nëse ka shi, mos provoni të shkoni pasi makina juaj mund të mbetet në baltë papritur. Po ashtu në periudhë shirash lumi Ishëm ngrihet dhe merr edhe pjesë të rrugës në afërsi të bregut të detit.

Pavarësisht se pritet të ketë peshk mjaftueshëm për peshkim për shkak të mbeturinave që sjell Ishmi, një degë e të cilit është lumi Lana që mbledh të gjitha mbeturinat e Tiranës me afro 1 milionë banorë, nuk rekomandohet për peshkim për shkak të ndotjes së ambinentit, ujit të ndotur, çfarë mund të sjellë edhe kontaminimin e produkteve të detit.

Është destinacioni më i ndotur në vend në breg të detit. Megjithatë atje ka peshkatarë me varka si dhe janë vendosur bilance në hyrje të lumit në det.

Pothuajse nuk ka lëvizje banorësh, fshatrat janë larg dhe shpesh edhe komunikimi me telefon funksionon dobët ose nuk funksionon fare.

Pylli është i ulët prej shkurresh të dendura, të pakalueshme. Vëzhgimet e fundit kanë gjetur se në to lëvizin edhe ujq, ndërsa cakallë, dhelpra, lepuj janë të pranishëm. Prania e zogjve është e kufizuar dhe shpesh një erë e rëndë mbulon zonën si rezultat i mbeturinave.

Në vizitën tonë atje gjetëm edhe mbeturina spitalore si dhe kuti me ilace të skaduara që i kishte nxjerrë në breg lumi.

Atje gjenden peshq si levreku, çafërr, bishtzezë, koc, spalc etj.

Megjithatë nëse shkoni në grykëderdhjen e Ishmit rrugës në të djathtë mund të ktheheni për në fshatin Ishëm ku ndodhen disa objekte me rëndësi historike, kulturore dhe arkitekturore. Rruga është e mirëmbajtur ndërsa në fund të saj ju pret një panoramë e rrallë e fushave dhe detit rreth e rritull kodrës së Ishmit. Atje ka edhe restorant e bar ku ju mund të shijoni produktet e zonës.

Bazilika paleokristiane (Gjuricaj) Ishëm:

Në Gjuricaj ndodhet Bazilika ndër më të vjetrat. Ajo ka përmasa 47 x 20 m. Kisha është e tipit bazikal, njëkonshe me tre Nefe. Objektet e zbuluara në këtë Bazilikë, datojnë në shekullin e IV – III p.e.s, si dhe në shekullin V–VI të e.s., sipas studiuesve cafrë të lënë të kuptojnë se më herët ka shërbyer edhe si tempull.

Kalaja e Ishmit:

Kështjella u ndërtua në vitet 1572 – 1574, nga Perandoria Osmane. Pas përfundimit të punimeve kështjella u pajis me topa dhe në të u vendos një garnizon ushtarësh.

Kulla e “Sylejman Kullës″:

Kulla e Sulejman Kullës ndodhet në fshatin Kullas të Ishmit. Është e vetmja kullë në rrethin e Durrësit ndërsa u shpall Monument Kulture rreth vitit 1983. Kulla është ndërtim prej guri me tre kate e cila në katin e fundit të saj ka 20 frengji, që shërbenin për mbrojtjen e kullës në rast sulmi.

Kati i I-rë i kullës shërbente si podrum, ndërsa 2 katet e tjera për të banuar. Kulla ka dhe dy ballkone ose dysheklleqe, të stilit të arkitekturës turke të kohës.

Varri i Ibrahim Kodrës

Ibrahim Kodra ëhstë një ndër prikotrët më të njohur të shek XX në Itali por edhe në Evropë. Ai ishte piktor i stilit kubist, Lindi në Ishëm më 22 prill 1918 dhe u nda nga jeta më 7 shkurt të 2006 në Milano, Itali ku jetoi e krijoi pothuajse gjithë jetën e tij. Ai u largua nga Shqipëria kur ishte 20 vjeç (1938) me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Më pas përfundon në Milano, Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Piktori Ibrahim Kodra ka ekspozuar veprat e tij në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, kishte miqësie njohje me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, etj.

Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.(https://www.kultplus.com/arti-pamor/ibrahim-kodra-piktori-shqiptar-qe-la-pas-rreth-6-mije-vepra/)

Karakteristika të përgjithshme:

Klima e rajonit Durrës-Lezhë është mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore është 15.5°C, temperatura mesatare e Janarit 7°C, temperatura mesatare e Gushtit 24°C.

Ererat karakteristike per Durresin dhe Gjirin e lalezit jane brizat. Briza fillon nga ora 9-10 paradite dhe vazhdon deri ne 16-18 pas dite.

Ujërat e detit Adriatik janë të pasur me peshq si: peshk pëllumb, raja, raxha, sardelja, ngjala. ngjala e egër, merluci, levreku, stavrida, korbi i bardhë, korbi i zi, barbuni, spalca e kuqe, dentali, kocja, palamidi, shtiza, qefulli, gjuhëzë kanali, sir etj, që janë një potencial i madh peshkimi.

Disa të dhëna mbi peshqit e zonës:

Qefulli

Qefulli është peshk i ujërave të kripura jeton në tufa dhe arrin peshën deri në 5 kg për një ekzemplar. Në Shqipëri, numërohen rreth 8 lloje qefujsh: cumra, kryeholli, kryeziu, veshverdhi, qefulli me buze etj. Gjendet gjatë gjithë vitit në afërsi të brigjeve, por noton disa kilometra edhe neper grykat e lumenjve dhe laguna. Edhe në porte, ka shume prej tyre, që ushqehen me mbeturinat që hedhin anijet. Ka mish te shijshëm, i cili ndryshon nga vendi ku gjuhet. Nuk është fort i shijshëm qefulli që rritet në afërsi të porteve.

Levreku

Levreku është një ndër peshqit që gjendet më shumë në muajt e dimrit, pranë brigjeve. Ushqehet me peshq të tjerë, qefull, shtiza etj Pesha e tij arrin me raste edhe në 14 kg për një ekzemplar. Kur është i vogël, afër 300 gram dhe ka mbi trup pika te zeza te çrregullta, peshkatarët e quajnë çafërr. Është një gjuetar i pamëshirshëm, i cili ushqehet pothuajse vetëm me peshq të gjallë. Mbas viteve ‘97 është pakësuar shumë, si pasojë e gjuetisë me dinamit. Ai lëshon vezët në muajt shkurt-mars ndërsa ikën disa kilometra në gryken e lumenjve apo laguna.

Bishtmëllenja (https://telegraf.al/aktualitet/peshqit-e-jonit-dhe-adriatikut-pasuri-e-hapesires-se-mrekullueshme-detare/)

Bishtmëllenja ose rombo, siç i thonë ndryshe peshkatarët. Ky lloj peshku jeton në vendet që kanë fund ranor, gjendet pothuajse gjatë gjithë vitit në afërsi të brigjeve, por më shumë në muajt tetor-nëntor. Ai shfaqet në ujërat e Adriatikut me dy lloje, njëri prej të cilave është me disa gjemba mbi kurriz.

Ngjala e egër

Ngjala e egër, ose ngjala e detit, është në formë gjarpri, me ngjyrë karote, ka dhembë të mprehtë dhe ushqehet me peshq të tjerë, kryesisht të ngordhur. Si pasojë e gjuajtjes me dinamit nga peshkatarët, ngjala e egër është në rrezik dhe futet tek peshqit në mbrojtje.

Peshku shtizë

Peshku shtizë ka ngjyrë të argjendtë në të zezë, e ka pjesën e përparme në formën e shtizës, me dhëmbë të imët. Ushqehet me peshq më të vegjël, në fillim e godet gjahun e tij pastaj e gëlltit, Karakteristikat e këtij lloj peshku është se nuk ka hala. Gatuhet duke u pjekur në zgarë shoqëruar vazhdimisht me vaj ulliri të përzier me limon për shkak se ka mish të fortë.

Dateri

Në shqip quhet “shpuesja e shkëmbit”, është një lloj midhje që bën pjesë te molusqet (butakët) dykapakorë (Bivalvia). Kjo midhje shpon shkëmbinjtë gëlqerorë dhe strehohet brenda tyre. Guaska e kësaj midhjeje është e ngushtë, e zgjatur, pjesërisht cilindrike, e shtypur në pjesën e përparme. Nga jashtë guaska ka ngjyrë kafe, të çelur ose të errët, ndërsa nga brenda guaska është e bardhë, shpesh me nuanca të verdha ose të kaltra. Gjatësia mesatare luhatet nga 6 cm – 8 cm, ndërsa gjatësia maksimale 10 cm – 12 cm.

Ndër zogjtë që hasni më shpesh janë qukapiku, laraska, bilbili, gjelza pikaloshe, dhe pulëbardha.

Ҫfare te vizitosh ne Durres (https://www.durres.gov.al/vizitoret/475-%D2%ABfare-te-vititosh-ne-durres)

Qyteti i Durrësit është I dyti nga madhësia në Shqipëri dhe ndër qytetet më të rëndësishme nga volume ekonomik dhe financiar. Ndërkohë është ndër qytetet më të vjetra evropiane me pasuir të mëdha arkelogjike,arkitekturore apo kultutore. Ai është ndërtuar mbi mbi rrënojat antike të Epidamnit ndërsa është themeluar rreth vitit 627 para e.r.. Disa nga pikat kryesore ku gjenden pasuri janë:

Amfiteatri, Murret Rrethuese të qytetit, Forumi Bizantin, Kulla Veneciane, Termet antike Romake,

Amfiteatri I Durrësit:

Amfiteatri i Durrësit ka trajtë elipsi me diametër 136m dhe lartësi rreth 20m. Është ndërtuar në fillim të shek. II të e.r., në kohën e perandorit romak Trajan (98-117). Në të uleshin rreth 15-20 mijë shikues që ndiqnin shfaqej të ndryshme përfshirë edhe ndeshjet mes gladiatorëve. Amfiteatri ka pasur hyrjen kryesore nga veriu dhe një dalje në jug në të njejtin aks. Fasada lindore nga qendra e qytetit ka qenë dykatëshe me harqe e kolona dhe mbi to një strukturë dekorative me dritare.

Kishëza e amfiteatrit:

Kisha u ndërtuar rreth shekujve V-VI në formën e një kishë të vogël (kapelë), ku zhvilloheshin ceremonitë fetare dhe funerale të grupimeve të krishtera të Durrësit.

Ajo është zbukuruar të dy faqet, jugore e perëndimore, me panela mozaikësh mural, unikal kushtuar Shën Stefanit, martir i qytetit të Durrësit.

Në vijim mund të shikoni edhe Shën Marian si perandoreshë bizantine rrethuar me dy engjëj, i pari me mbishkrimin në krye dhe në këmbët e figurave dy shoqërues në miniaturë. Faqja perëndimore ruan fragmente të dy shenjtoreve, Shën Irini dhe Shën Sofia me emrat përkatës. Si vend strehimi i bashkësive të krishtera, ka shërbyer edhe galeria lindore e amfiteatrit, e cila shfaqë një afresk me figurën e Shën Gabrielit.

Kalaja, muret rrethuese të qytetit

Qyteti i Durrësit është mbrojtur me mure rrethuese të ndërtuara me blloqe cikllopik. Ato u ndërtuan nga perandori bizantin Anastasi I (491-518) me origjinë nga Durrësi, pas dëmtimit që shkaktoi tërmeti katastrofik i vitit 345. Ai e mbrojti qytetin me tre radhë muresh prej tulle, nga të cilat ruhen 500m gjatësi në anën Jug-Perëndimore. Perimetri i rrethojes arrinte 3.5km, lartësi 18m dhe gjërësi 3.50m. Ky sistem mbrojtës përforcohej me kulla pesëkëndëshe, me largësi 60-65m nga njëra-tjetra. Ndërhyrjet më të vona janë ato të perandorit Justinian (527-565). Gjithashtu, më vonë, në shek. XIII-të (1272) Karli Anzhu dhe në shek. XIV-të (1350) Karl Topia, kryen gjithashtu përforcime mbrojtëse. Kalimi i Durrësit nën pushtimin venecian (1392-1501) për 109 vjet u shoqërua me ndërhyrje në sistemin mbrojtës, me kulla rrethore. Ndërsa, pushtimi osman më 13 gusht 1501 e zvogloi qytetin në skajin Jug-Lindor (Lagjia Kala) duke e rrethuar atë me një mur 800m, 6 herë më të vogël se rrethoja bizantine. Muri turk zbret nga kuota 59m, dhe në gjatësinë e tij u ndërtua Kulla me sahat e qytetit. Muret turke u përforcuan me kulla e bedena si dhe me dy porta kryesore të vendosura në një aks: “Porta e Madhe” dhe “Porta e Detit”.

Shtëpia muze ‘Aleksandër Moisiu’

Aleksandër Mosiu është një aktor madh i teatrit në Evropë në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Moisiu kreu shkollën fillore në Durrës, dhe për këtë arsye në vitin 1928 shkroi kujtimet e tij në formë skice me titull “Ëndërr fëmijërie”.

Shtëpi me çardak është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të. Pas restaurimit të saj në vitin 1983, u vendos “Ekspozita e Kulturës Popullore”. Dy dhoma të kësaj shtëpie i janë kushtuar Aleksandër Moisiut, emërtuar “Dhoma Muze Aleksandër Moisiu”.

Xhamia “Fatih”

Xhamia “Fatih”, i përket kohës së sulltan Mehmetit të II-të Pushtuesit (Fatihut) dhe është ngritur rreth viteve 1502-1503, mbi rrënojat e një bazilike të shek. XI-të.

Bazilika Paleokristiane e Shën Mëhillit, Arapaj, Durres,

Ndodhet mbi nje koder te fshatit Arapaj ne jug te qytetit te Durresit. Kjo eshte nje bazilike paleokristiane e shekullit VI .A.D. Pjesa e zbuluar ne vitn 1974 eshte pjese e nje ndertimi monumental. Kjo bazilike I perkishte kishes se Shen Mehillit te djegur nga normanet. Bazilika e zbulaur perbehet nga abasida, salllonet , oborri dhe 2 anekse funerale. Ne njerin prej ketyre te fundit gjendet mozaiku I famshem I Arapajt me nje siperfaqe prej 50 metro katrore. Ky eshte nje nder mozaiket me te medhenj te Shqiperise dhe Ballkanit. Mozaiku perbehet nga dy emblema me motive baritore.

Rregulla të peshkimit çlodhës dhe sportiv

Gjatë ushtrimit të peshkimit çlodhës-argëtues përdoren këto vegla peshkimi:a) jo më shumë se 2 kallama për peshkatar dhe jo më shumë se 3 grepa për kallam;b) jo më shumë se 10 grepa dore për peshkatar;c) rrjetë e vogël dore.

Peshkatari zë jo më shumë se 5 kg produkte peshkore në ditë dhe kjo sasi mund të tejkalohet nëse zihet një individ i vetëm me një peshë më të madhe se 5 kg.

Ushtrimi i aktivitetit të peshkimit çlodhës-argëtues kryhet në përputhje me masat e vendosura për ato specie të cilat ndodhen nën një regjim të kufizuar sforcoje, si ngjala, toni i kuq dhe peshku shtizë.

Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit çlodhës-argëtues nuk lejohet të zihen tufat e riprodhuesve.

Kërkesa për pajisjen me autorizim për peshkim çlodhës-argëtues kryhet online nëpërmjet portalit e-Albania, në linkun: https://e-albania.al/.

Autorizimi lëshohet nëpërmjet portalit e-Albania me kryerjen e pagesës së tarifës së caktuar.

Rregulla të peshkimit turistik:

Peshkimi turistik nënkupton veprimtaritë e ndërmarra nga çdo individ, person fizik ose juridik, pronar ose posedues i një mjeti lundrues, i cili imbarkon në anijen e tij persona të tjerë, përveç ekuipazhit për kryerjen e veprimtarive turistike-argëtuese.

Aktiviteti i peshkimit turistik kryhet nga peshkatarë profesionistë ose nga profesionistë të peshkimit çlodhës-argëtues me anije peshkimi me flamur shqiptar dhe me mjete lundruese kënaqësie me flamur shqiptar ose të huaj, bazuar në legjislacionin në fuqi.

Në peshkimin turistik përfshihet: a) kryerja e aktiviteteve praktike të peshkimit çlodhës-argëtues përmes përdorimit të veglave të peshkimit të parashikuara në këtë udhëzim; b) kryerja e veprimtarive turistike argëtuese, me qëllim përhapjen dhe zhvillimin e aktivitetit të peshkimit, të tilla si, në veçanti, ekskursione të shkurtra përgjatë brigjeve, vëzhgimi i aktiviteteve profesionale të peshkimit, restorant në bord ose në breg; c) kryerja e veprimtarive që synojnë njohjen dhe përmirësimin e mjedisit bregdetar, lagunave bregdetare dhe në ujërat e brendshme, me autorizim të autoritetit kompetent, si dhe njohja e publikut të gjerë me aktivitetin e peshkimit tregtar.

Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit turistik në ujërat detare përdoren këto vegla peshkimi:a) jo më shumë se 3 kurthe për anije; b) plumbçe me perimetër jo më të madh se 16 metra ose me diametër më të vogël se 5 metra; c) grumbullim me dorë, pa përdorur vegla peshkimi dhe mjete ndihmëse, të krustaceve dhe molusqeve.

Aktiviteti i peshkimit turistik kryhet vetëm me anë të një autorizimi të lëshuar nga MBZHR-ja.

Autorizimi për peshkimin turistik është afatshkurtër dhe jepet për periudhën sipas kërkesës së paraqitur, por jo më shumë se 30 ditë.

Rregulla të peshkimit sportiv:

Peshkimi sportiv në det dhe në ujëra të brendshme kryhet nga shoqata organizuese nëpërmjet autorizimit të lëshuar nga MBZHR-ja.

Kërkesa për t’u pajisur me autorizim për peshkimin sportiv bëhet nga një përfaqësues i shoqatës, online në portalin e-Albania, në e-Shërbime të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në hapësirën “Aplikim për t’u pajisur me autorizim për peshkim çlodhës-argëtues”, të paktën 10 (dhjetë) ditë kalendarike përpara datës së caktuar për fillimin e aktivitetit.

Kërkesa bëhet duke plotësuar formularin e kërkesës me të dhënat e mëposhtme:a) gjeneralitetet e përfaqësuesit të shoqatës organizuese (emër, mbiemër; datëlindja; shtetësia; numri i pasaportës ose i kartës së identitetit); b) të dhënat e shoqatës (emri dhe NIPT/nëse ka);c) zonën ku do të zhvillohet aktiviteti;ç) datën dhe orën e zhvillimit të aktivitetit;

Në rastin kur kërkesa bëhet nga një përfaqësues i shoqatës, duhet të ngarkohet autorizimi i shoqatës për përfaqësimin nga aplikanti.

Kur aktiviteti i peshkimit sportiv kryhet në zona bashkëmenaxhuese, përfaqësuesi i shoqatës ngarkon një kopje të dokumentit të miratimit nga OMP-të përkatëse.

Autorizimi për peshkimin sportiv lëshohet pa pagesë nëpërmjet portalit e-Albaniadhe brenda 7 (shtatë) ditëve pune, pas verifikimit të përmbushjes së kritereve teknike.

Rregulla për peshkimin amator dhe nënujor:

Peshkimi amator është peshkim jotregtar, i paorganizuar, që kryhet në kohë të lirë me grepa ose vegla të tjera peshkimi, por pa përdorur mjet lundrues.

Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit amator dhe nënujor, përveç veglave të përmendura në pikën 2, të kreut I të këtij udhëzimi, lejohet të përdoren, në të gjitha kategoritë ujore, këto vegla peshkimi: a) shtizë dore;b) pushkë nënujore.

Kërkesa për t’u pajisur me autorizim për peshkimin amator dhe nënujor bëhet onlinenë portalin e-Albania, në e-Shërbime, në hapësirën “Aplikim për t’u pajisur me autorizim për peshkim çlodhës-argëtues”, duke plotësuar formularin e kërkesës dhe duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm: a) fotografi të aplikantit;b) vërtetim anëtarësie në një shoqatë kombëtare të peshkimit çlodhës-argëtues.

Autorizimi lëshohet nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet portalit e-Albania, brenda 3 (tre) ditëve pune, pas verifikimit të përmbushjes së kritereve teknike.

Në ujërat e brendshme, të shpallura si zona bashkëmenaxhimi, kërkesa për kryerjen e peshkimit amator paraqitet pranë organizatës përgjegjëse të bashkëmenaxhimit, e cila është autoriteti kompetent që verifikon plotësimin e kritereve të lejimit dhe që lëshon autorizimin përkatës.

Nuk lejohet peshkimi amator në ujëmbledhësit e bujqësisë, për të cilët është lidhur një kontratë për zhvillim aktiviteti ripopullim/peshkim, si dhe në lagunat bregdetare dhe grykat e tyre të komunikimit me detin.

Koha e peshkimit, peshqit dhe speciet detare që ndalohen të peshkohen:

Ndalohet përdorimi i mjeteve me tërheqje, kryqeve të Shën-Andreas apo pajisjeve të ngjashme me to, që përdoren për mbledhjen e koralit të kuq dhe llojeve të tjera të koraleve apo organizmave të tjerë të ngjashëm me koralet; çekiçëve pneumatikë ose pajisjeve të tjera me goditje për grumbullimin, sidomos të molusqeve dykapakorë të futur në shkëmb (dateri); e) rrjetave fundore mbledhëse me madhësi hapjeje më të vogël se 40 mm për peshkarexha.

Ndalohet peshkimi në zonën e portit, rrugët e hyrjes, si dhe vendet e ankorimit.

Ndalohet: a) peshkimi gjatë periudhës nga perëndimi i diellit deri në agim; b) peshkimi me pushkë nënujore prej personave nën 16 vjeç; c) shitja e peshkut të kapur gjatë këtij aktiviteti.

Ndalohen peshkimi, mbajtja në bord, transitimi në barkë dhe anije, zbarkimi i qëllimtë dhe hedhja në treg ose për konsum, në çdo periudhë, zonë e me çfarëdo lloj mjeti a pajisjeje i këtyre organizmave ujorë: a) Korani i lumit - Salmo letnica lumi; b) Blini -Acipenser sturio; c) Peshkaqenët - Cetorhinus maximus, Carcharodon carcharias; ç) Lopa e detit - Mobula mobular; d) Gurëshpuesi (dateri) - Lithophaga lithophaga; dh) Koralet (Corallium spp.); e) Sfungjerët (spongidae); ë) Gjitarët e detit; f) Breshkat e detit; g) Kastravecët e detit.

Gjatësia e peshkut që lejohet të peshkohet, dimensionet minimalë

(Emri shkencor, emri shqip, dimensioni minimal)

1. Peshqit

  • Dicentrarchus labrax Levreku 25 cm
  • Diplodus annularis Sargu bishtzi 12 cm
  • Diplodus puntazzo Sharan 18 cm
  • Diplodus sargus Sargu 23 cm
  • Diplodus vulgaris Sargua 18 cm
  • Engraulis engrasicolus Açuga 9 cm
  • Epinephelus spp. Kerrat 45 cm
  • Lithognathus mormyrus Murra 20 cm
  • Merluçius merluçius *** Merluci 20 cm
  • Mullus spp. Barbunët 11 cm
  • Pagellus acarne Mormuri i egër 17 cm
  • Pagellus bogaraveo Spalce e kuqe 33 cm
  • Pagellus erythrinus Spalce e kuqe 15 cm
  • Pagrus pagrus Pagri 18 cm
  • Polyprion americanus Kerr fundi 45 cm
  • Sardina pilchardus ** Sardelja 11 cm
  • Scomber spp. Skumri 18 cm
  • Solea vulgaris Gjuhëz kanali 20 cm
  • Sparus aurata Kocja 20 cm
  • Trachurus spp. Stavridhët 15 cm

2. Krustacetë

  • Hommarus gammarus 105 mm CL, 300 mm TL
  • Nephrops norvegicus Skampi 20 mm CL, 70 mm TL
  • Palinuridae Aragostat 90 mm CL
  • Parapenaeus longirostris Karkaleci rozë 20 mm CL

3. Molusqet bivalvorë

  • Pecten jacobeus 10 cm
  • Venerupis spp. 25 mm
  • Venus spp. 25mm

TL - Gjatësia e përgjithshme; CL - Gjatësia e karapaksit

(VENDIMI, Nr. 402, datë 8.5.2013)

Penalitetet, ju do të gjobiteni për këto shkelje:

  1. Hedhja e mbeturinave të lëngshme apo të ngurta që krijojnë efekte negative në cilësinë e mjedisit ujor,
  2. Lëshimi i llojeve të peshkut joindigjenë dhe/ose organizmave të tjerë ujorë, llojeve të peshkut të modifikuara gjenetikisht ose organizmave të tjerë ujorë, në hapësirën detare dhe në ujëra të brendshme, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
  3. Aktivitetet nënujore, që synojnë peshkimin në vende ku nuk është marrë më parë leje prej autoritetit menaxhues përgjegjës, dënohen me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
  4. Kapja e të vegjëlve, llojeve të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të paarrirë për t'u riprodhuar ose me përmasa përtej atyre të parashikuara në aktet nënligjore, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
  5. Ushtrimi i aktivitetit të peshkimit dhe marrja ose shkatërrimi i faunës dhe florës në zonat e mbrojtura ujore, dënohen me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
  6. Kapja e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë në kundërshtim me urdhrin për ndalimin e peshkimit, jashtë sezonit apo në zonat ku nuk lejohet peshkimi, dënohet me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
  7. Zënia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo helmon, dënohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
  8. Mbajtja në bord apo në breg e eksplozivëve apo substancave kimike që vrasin, helmojnë apo intoksikojnë peshkun dhe organizma t e tjerë ujorë, dënohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 2 500 000 lekë.
  9. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit çlodhës - argëtues në kundërshtim me ligjin ( Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ushtrimi i peshkimit çlodhës - argëtues nuk duhet të ndërhyjë, të pengojë, të rrezikojë apo të vështirësojë peshkimin tregtar), dënohet me gjobë, nga 5 000 lekë në 10 000 lekë.
  10. Mbledhja dhe/apo tregtia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të zënë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo helmon, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
  11. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit amator, pa qenë i pajisur me autorizimin përkatës dënohet me gjobë, nga 500 lekë deri në 1 000 lekë, ndërsa për rastin e peshkimit turistik, pa qenë i pajisur me autorizimin përkatës, dënohet me gjobë, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
  12. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit çlodhës - argëtues në kundërshtim me dispozitat e nenit 45 të këtij ligji, ( a) peshkimi gjatë periudhës nga perëndimi i diellit deri në agim; b) peshkimi me pushkë nënujore prej personave nën 16 vjeç; c) shitja e peshkut të kapur gjatë këtij aktiviteti) dë nohet me gjobë: a) nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë pa mjet lundrues; b) nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë në rast se për kryerjen e shkeljes përdoret mjet lundrues.

Guida eshte pergaditur nga Qendra per Transparence dhe Informim te Lire ne kuadrin e projektit "Identification and promotion of recreational and tourist fishing destinations in the coastal area of Durres and Lezha counties", mbeshtetur nga PNUD Albania.